Secondary Adv

Ndertimi i resorteve me 4 dhe 5 yje! Lehtesirat financiare po “joshin” investitoret

Investimet në ndërtime turistike janë të përqendruara në hotele të vegjël, kryesisht familjarë, ose në raste të veçanta në komplekse të vilave luksoze në bregdet. 

 

Resortet e mëdha, me standarde të larta shërbimi, që do të sillnin një model të ri turizmi pothuajse mungojnë. Megjithatë, incentivat fiskale të miratuara viitn e kaluar duket se po nxisin investimet e reja në këto struktura. Nëntë është numri total i aplikimeve për ndërtimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje në vendin tonë, që prej miratimit të ligjit i cili siguron lehtësira fiskale për këtë kategori.

 

Sipas burimeve nga ana e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit duket se hapat e ndërmarrë së fundmi nga qeveria po zgjojnë interesin e investitorëve për ndërtimin e strukturave të tilla. Kjo kornizë ligjore lehtësuese nga ana financiare ka tërhequr vëmendjen e shumë investitorëve të tjerë të cilët vijojnë aplikimet për statusin “investitor strategjik” ku shumë prej tyre janë rrëzuar nga komiteti  i investimeve strategjike dhe vetëm tre kanë arritur të plotësojnë kushtet. Një resorti me 5 yje me status special është duke u ndërtuar në një prej zonave bregdetare, ajo e Gjirit të Lalzit. Ky resort po ndërtohet nga një kompani shqiptare në partneritet me një tjetër kompani spanjolle. 

 

Ndërtimi i hoteleve të tilla, sipas qeverisë pritet të sjellë një zhvillim ekonomik, me theks nxitjen e turizmit. Resorti në fjalë zë një sipërfaqe prej 34 hektarësh. Vlera e ndërtimit kap shifrën prej 88 milionë euro. Parashikohet që vetëm gjatë fazës së ndërtimit të këtij projekti me 5 yje, të jenë të punësuar 500-600 persona. Përfundimi i ndërtimit të këtij resorti pritet të jetë në vitin 2019, ku do të punësohen 700 persona në resort dhe mbi 600 të tjerë sezonalë. Por ajo që vihet re është orientimi i biznesit për ndërtimin e vilave luksoze, të cilat janë disa fshatra turistikë të tjerë në zonën e Gjirit të Lalzit janë bërë tërheqëse për bizneset,  pasi një banesë atje merr statusin special. 

 

Kriteret ligjore

Sipas ndryshimeve të fundit ligjore, hotelet me 4 dhe 5 yje  nuk do të paguajnë tatim-fitim për një periudhë 10-vjeçare, nëse arrijnë të përfitojnë statusin special. Efektet e përjashtimit fillojnë që nga momenti i fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se tre vjet nga marrja e statusit special. Në maj të 2018-ës, Këshilli i Ministrave  miratoi vendimin mbi kriteret  që duhet të plotësojë çdo subjekt, që aplikon për marrjen e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”. Sipas vendimit, investimi në ndërtimin e një strukture akomoduese me status special duhet të bëhet në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit dhe aplikuesi duhet ketë lidhur kontratë të vlefshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit, me një operator menaxhues të strukturave të tilla. Në vendim përcaktohet se operatori menaxhues duhet të ketë investuar në ndërtim dhe menaxhon të paktën 5 struktura të tilla akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë në pronësinë direkte të aplikuesit ose operatorit ose administrohen nga ata dhe ndodhen në të paktën tre vende të BE. 

 

Në rast të kundërt aplikuesi duhet të ketë investuar në ndërtim dhe menaxhon të paktën 8 struktura akomoduese jashtë vendit. Apikuesi duhet të ketë përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për taksat dhe tatimet si dhe të mos jetë objekt i procedurave të falimentimit ose likuidimit. Lidhur me vlerën e investimit, vendimi përcakton se për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje, investimi duhet të kapë vlerën jo më pak se 8 milionë euro dhe për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje të paktën 15 milionë euro. Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton dokumentacionin që duhet dorëzuar si dhe tarifat e aplikimit të cilat janë: për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 4 yje, status special, 200 mijë lekë dhe me 5 yje, 300 mijë lekë. Vlerësimi i aplikimit për dhënien e statusit do të bëhet nga komisioni në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit./Scan


Më të lexuarat